Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.Fjalët e imamëve në lidhje me lartësinë e Allahut

Imam Muveffekud-Din bin Kudameh el-Makdisi (v. 620)

Burimi: Ithbatu Sifat-il-Uluv, fq. 166-190

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Ebu Bekr Ahmed bin Muhammed na informoi, Ebu Bekr Ahmed bin Aliu na informoi, Hibatullah bin el-Hasan na informoi, Muhammed bin Ubejd bin Haxhad na informoi, Ahmed bin el-Hasan na informoi: Ahmad bin Ahmedi na informoi, Babai im na informoi: Suraxh bin en-Nu’man na tregoi, Ahmed bin Nafi më tregoi, Maliku ka thënë:

”Allahu është mbi qiell dhe dija e Tij është kudo, asgjë nuk i ikën.” 1

77 – Ebu Umeri ka thënë:

”Dijetarët nga sahabët dhe tebiinët, të cilët e interpretuan Kuranin shpjeguan fjalët e Allahut (azze ue xhel):

مَا يَكُونُ مِن نَّجْوَى ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَا أَدْنَى مِن ذَلِكَ وَلَا أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُوا

“Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë.” 2

dhe thanë: ”Ai është mbi arsh dhe dituria e Tij është kudo.” Asnjë person i njohur nuk mendon ndryshe.” 3

78 – Ai ritregoi zinxhirin e tij të historisë nga Ma’dan i cili tha:

”E pyeta Sufjan eth-Theurin për fjalët e Allahut (te ala):

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ

“Ai është me ju, kudo që të jeni.”4

Ai u përgjigj:

”Do të thotë me diturinë e Tij.”5

79 – Hanbeli tha:

”I thashë Ebu Abdil-lahit (imam Ahmezit) në lidhje me:

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ

“Ai është me ju, kudo që të jeni.”

dhe:

مَا يَكُونُ مِن نَّجْوَى ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَا أَدْنَى مِن ذَلِكَ وَلَا أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُوا

“Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë.”6

Ai u përgjigj:

”Do të thotë dituria e Tij. Ai e di të fshehurën dhe të dukshmen. Dituria e Tij përfshinë gjithçka. Ai e di të fshehurën. Zoti ynë është mbi arsh, pa kufij apo përshkrim.”

80 – Është transmetuar nga Jusuf bin Musa el-Baghdad se ai ka thënë:

”I thanë Ebu Abdullahit Ahmed bin Hanbelit: ”A është e vërtetë se Allahu është mbi qiellin e shtatë dhe mbi arshin e Tij, i ndarë nga krijesat e Tij dhe se aftësia dhe dituria e Tij është kudo?”

Ai u përgjigj: ”Po. Mbi arsh dhe dituria e Tij është kudo, asgjë nuk i ikën.”

81 – Kam mësuar se Ebu Hanifeh (rahimehullah) ka thënë në ”el-Fikh el-Ekber”:

”Ai që mohon se Allahu (te ala) është mbi qiell bënë kufër (del nga feja).”

82 – Abdullah bin Muhammedi na informoi, Ahmed bin Ali na informoi: Ahmed bin Muhammed bin Hafs na informoi, Ahmed bin Muhammed na informoi, el-Hasan bin Jusufi na informoi: Ahmed bin Ali bin Zejd na tregoi, Muhammed bin Ebi Amr na tregoi, Amr bin Uehb na tregoi, E kam dëgjuar Shadad bin Hakim të përmenden se Muhammedi bin el-Hasan [esh Shejbani] ka thënë për hadithet si:

”Allahu zbret në qiellin e dunjasë.”

”Këto hadithe janë transmetuar nga njerëz të besuar. Ne i ritregojmë ato. Ne i transmetojmë ato dhe nuk i interpretojmë ndryshe.” 6

83 – Imam Ebul-Hasan Ali bin Asakir el-Batai’hi el-Mukri na informoi, el-Amin Ebu Talib Abdul-Kadir bin Muhammed bin Abdil-Kadir el-Jusufi na informoi, Ebu Is’hak Ibrahim bin Umer el-Barmaki na informoi, Ebu Bekr Muhammed bin Abdil-lah bin Bakhit na informoi, Ebu Hafs Umer bin Muhammed bin Isa el-Xhavhari na tregoi, Ebu Bekr Ahmed bin Muhammed bin Hani et-Ta’i el-Athram na tregoi, Ali bin el-Hasan bin Shekik më tregoi:

”I thash Ibnul Mubarakut: ”Si ta njohim Zotin tonë?” Ai tha: ”Ai është mbi qiellin e shtatë dhe mbi arshin e Tij. Ne nuk themi si Xhehmitë, pra ata thonë së Ai është këtu dhe atje.” 7

84 – Ebu Bekr el-Athram ka thënë: Muhammed bin Ibrahim el-Kajsi më tregoi:

”I thashë Ahmed bin Hanbelit: ”Thuhet se Ibnul-Mubarek u pyet se si ta njohim Zotin tonë, pas së cilës ai u përgjigj: ”Ai është mbi qiellin e shtatë dhe mbi arshin e Tij.” Ahmedi tha: Ky është mendimi ynë.” 8

85 – el-Athram ka thënë: Ebu Abdil-lah el-Kajsi na tregoi: E kam dëgjuar Uehb bin Xheririn duke thënë:

Xhehmitë dëshirojnë të thonë se nuk ka asgjë është mbi qiell.”

86 – Ai tha:

”I thashë Sulejman bin Harbit: ” Çfarë tha Hammad bin Zejd për Xhehmitë? ”Ai tha: ”Ai e kishte zakon të thoshte:

”Ata duan të thonë se nuk ka asgjë mbi qiell.”

87 – Abdullahi na informoi, Ahmedi na informoi, Hibatullah na informoi, Muhammed bin el-Husejn bin Jakub na informoi, Xhelaxh Ahmed bin Ahmed na tregoi, Ahmed bin Ali el-Abar na tregoi, Muhammed bin Mensur et-Tuisi na tregoi, Nuh bin Mejmun na tregoi, Bukhajr bin Ma’ruf na tregoi, nga Mukatil bin Hajjan i cili tha për fjalët e Tij (te ala):

مَا يَكُونُ مِن نَّجْوَى ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَا أَدْنَى مِن ذَلِكَ وَلَا أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُوا

“Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë.”

”Ai është mbi arsh dhe asgjë nuk i ikën diturisë së Tij.” 9

88 – Xhafar bin Abdil-lah më tregoi:

”Një burrë erdhi tek Malik bin Enesi dhe tha: ”O Ebu Abdil-lah!

الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى

”I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.” 10

Si u ngrit Ai? ”Unë kurrë nuk e kisha parë të nervozohet kaq ashpër me ato fjalë. Ai filloi të djersitet ndërsa njerëzit prisnin përgjigjen e tij. Pastaj ai tha: ”Ngritja lart është e njohur, mënyra se si është e panjohur, është e detyrueshme që të besojmë në të, është bidat për të pyetur se si është ajo”. Pastaj urdhëroi që ai pyetës të nxirret nga xhamia.”11

89 – Hibatullahu na informoi, Muhammed bin Xhaferi na informoi, Ebu Abdil-lah Naftujeh na informoi, Ebu Sulejman Davud bin Ali më tregoi: ”Ne ishim tek Ibnul-A’rabi kur një njeri erdhi tek ai dhe tha: “Çfarë do të thonë fjalët e Allahut (te ala):

الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى

”I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.”?

Ai u përgjigj: ”Ai është mbi arshin e Tij ashtu siç ka thënë Ai (azze ue xhel) ka thënë për veten e Tij.” Ai tha: ”O Ebu Abdil-lah! Ky nuk është kuptimi. Kjo do të thotë se Ai e mori pushtetin (استولى) mbi arsh.” Ai tha: ”Hesht. Askush nuk merr pushtet mbi diçka pa pasur një rival. Ai që e mposht tjetrin e ka marrë pushtetin. A nuk e ke dëgjuar en-Nebighah duke thënë:

Një si ti ose si ti i cili arrin i pari

kali i shpejtë arrin i pari nëse mbizotëron (استولى) mbi objektivin

90 – Djali im Ebul-Mexhd Isa bin Abdil-lah më tregoi, Shejkh Ebu Tahir el-Mubarak bin Ebil-Ma’ali bin el-Ma’tushi na tregoi, Abul-Ghanaim Muhammed bin Muhammed bin el-Muhtedi na informoi, Shejkh Ebu Is’hak Ibrahim bin Umejr el-Barmaki na informoi, Ebu-Fadl Ubejdullah bin Abdirr-Rrahman ez-Zuhri na informoi, Hamzah bin el-Husejn bin Umer el-Bazaz më tregoi, Ahmed bin Muhammed bin Ubejd më tregoi, Abas bin Dhakan më tregoi se ai tha:

”I thashë Bishr el-Hafit: ”Unë do të doja të ulem vetëm me ty.” Ai tha: ”Nëse ti do.” Një ditë herët e pashë atë duke hyrë në një kupolë. Ai fali katër rekate në një mënyrë që unë nuk kisha qenë në gjendje për t’i falur ashtu. E dëgjova atë duke thënë në sexhde: ”O Allah! Ti e di mbi arshin Tënd se unë preferoj përuljen ndaj pozitës së lartë. O Allah! Ti e di mbi arshin Tënd se unë preferoj varfërinë para pasurisë. O Allah! Ti e di mbi arshin Tënd se unë nuk preferoj asgjë para dashurisë ndaj Teje.” Kur e dëgjova këtë ia plasa qarjes dhe pastaj ai tha: ”Ti e di se unë nuk e kisha thënë këtë në qoftë se unë e kishta ditur se Ti je këtu.”

91 – Shejkh Ebu Ali el-Hasan bin Selemeh bin Muhammed el-Harrani na informoi, Ebu Is’hak Ibrahim bin Muhammed bin Nabhan el-Ghanaui er-Raki na informoi, Shejkh-ul-Islam Ebul Hasan Ali bin Ahmed bin Jusuf el-Kurashi el-Hakari na informoi: Ahmed bin el-Kasim bin el-Meusuli na informoi, Ebul-Kasim Ali bin el-Kasim el-Mukri na tregoi në Mosul: Kam shkruar nga libri i Ibn Hisham el-Beledit:

بسم الله الرحمن الرحيم

Këtë porositi Muhammed bin Idris esh-Shafi’i … ح

Shejkh-ul-Islam ka thënë, Ebu Mansur Muhamed bin Ali bin Muhammed bin el-Hasan bin Sehl bin Khalifeh na informoi, Gjyshi im Muhammed bin el-Hasan bin Sehl bin Khalifeh më tregoi, Ebu Ali el-Husejn bin Hisham bin Umer el-Beledi na treguan: Në këtë nxiti Muhammed bin Idris esh-Shafi’iu (radijAllahu anhu):

”Unë porosis që të dëshmohet se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut dhe se Muhammedi ﷺ është rob dhe i dërguari i Tij, të besosh Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të dërguarit e Tij. Ne nuk bëjmë dallim ndërmjet të dërguarve të Tij. Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin Allahut, Zotit të krijesave, Ai nuk ka ortak; në këtë unë jam urdhëruar. Allahu do t’i ringjallë të vdekurit në varre. Xheneti është i vërtetë dhe zjarri është i vërtetë. Dënimi në varr, llogaridhënia, peshorja dhe ura e siratit janë të vërteta. Allahu do t’i shpërblejë robërit sipas veprave të tyre. Unë jetoj sipas kësaj, sipas kësaj unë do të vdes, dhe sipas kësaj – nëse do Allahu – do të ringjallem.

Unë dëshmoj se imani përbëhet nga fjalët, veprat dhe besimi i zemrës. Shtohet dhe mangësohet.

Kurani është fjala e Allahut (te ala) dhe nuk është krijuar.

Allahu (azze ue xhel) do të shihet në ahiret. Besimtarët do ta shohin Atë me sytë e tyre në mënyrë të qartë dhe do të dëgjojnë fjalën e Tij.

Ai është mbi arsh.

Kaderi (përcaktimi), e mira dhe e keqja e tij është nga Allahu (azze ue xhel). Vetëm ajo që Allahu (azze ue xhel) dëshiron, vendos dhe përcakton ndodh.

Njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut ﷺ janë Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Ali bin Ebi Talibi (radijAllahu anhum). I dua ata dhe kërkoj falje për ta dhe ata që morën pjesë në luftën e Devesë dhe në luftën e Sifinit, vrasësit dhe ata që janë vrarë dhe të gjithë sahabët e tjerë të profetit ﷺ.

Duhet bindur pushtetarëve përderisa ata e falin namazin. Nuk duhet revoltuar kundër pushtetarëve. Kalifati duhet të jetë brenda Kurejshitëve.

Sasia e vogël e asaj që dehë edhe sasia e saj e madhe është alkool.

Mut’ah (martesa me kontratë të përkohshme) është e ndaluar.

Unë urdhërojë që t’i kihet frikë Allahut (azze ue xhel), sunneti të pasohet, transmetimet nga i dërguari i Allahut ﷺ dhe sahabët e tij të pasohen dhe që bidatet dhe epshet të shmangen. Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet. Vdisni si muslimanë. Ky është urdhëri i të parëve dhe të fundit. Allahu i jep rrugëdalje secilit që ia ka frikën Atij në një mënyrë që nuk ka mundur ta llogaris. Kijeni frikë Allahun sa më shumë që mundeni. Sigurohuni që të falni namazin e xhumasë dhe namazin me xhemat, përmbusheni sunnetin dhe besimin dhe kuptoni fenë. Secili që vjen në shtratin tim të vdekjes të më urdhëroj të them shahadetin, Ai nuk ka ortak dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij. Mi prisni thonjtë dhe mustaqet para vdekjes. Dhe nëse ka një grua me menstruacione, ajo do të ngrihet.” 12

93 – Me këtë zinxhir ka thënë Abdurr-Rrahman bin Ebi Hatim: Junus bin Abdil-A’la na treguan: E kam dëgjuar Ebu Abdil-lah Muhammed bin Idris esh-Shafeiun (radijAllahu anhu) duke thënë kur ai u pyet në lidhje me cilësitë e Allahut dhe atë që ai beson:

”Allahu (te ala) ka emrat dhe cilësitë e përmendura në Librin e Tij dhe të cilat profeti i Tij ﷺ i ka treguar umetit të tij. Askujt nga krijesat e Allahut (te ala) që i mëson ato nuk i lejohet të mohojë ato. Sepse Kurani i ka zbritur ato dhe ato janë transmetuar në mënyrë autentike nga i dërguari i Allahut ﷺ përmes transmetuesve të besueshëm. Ai që devijon prej tyre pasi ka mësuar ato është kafir. Para kësaj, ai justifikohet për injorancën e tij sepse nuk është dije që arrihet përmes mendjes, leximit e shikimit ose mendimeve. Ne nuk bëjmë tekfir mbi dikë që është injorant rreth tyre derisa ai ti mësoj ato. Ne i pohojmë këto cilësi dhe e refuzojmë krahasimin e tyre siç bëri vetë Ai kur tha:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

”Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 13

Kalifati i Ebu Bekrit ishte i vlefshëm. Allahu e ka vendosur atë mbi qiellin e Tij dhe bashkoi zemrat e sahabëve rreth profetit të Tij ﷺ.”

94 – Ebul-Fet’h Muhammed bin Abdil-Baki bin Ahmed bin Sulejman na treguan: Ebu Bekr Ahmed bin Ali bin el-Husejn bin Zekerija et-Turejthithi na informuan: Ebul-Kasim Hibatullah bin el-Hasan na informuan: Muhammed bin el-Mudhaffar el-Mukri na informuan: Ebu Muhammed Abdurr-Rrahman bin Ebi Hatim na treguan … ح

I lexova Ebul-Fadl Abdullah bin Ahmed bin Muhammed bin Abdil-Kahir et-Tusit në Mosul: Ebul Hasan Ali bin Muhammed bin Ali bin Muhammed bin el-Al-laf ju informoi juve: Ebul-Kasim bin Bishran na informoi: Ebul Hasan Ali bin Abdil-Aziz na informoi: Ebu Muhammed Abdurr-Rrahman bin Ebi Hatim na informoi:

”E pyeta babain tim dhe Ebu Zur’ah në lidhje me besimin e Ehl-us-Sunnetit në lidhje me bazat fetare dhe se çfarë besimi kishin dijetarët të cilën ata i kanë takuar në gjithë botën dhe çfarë mendojnë rreth saj. Ata thanë:

”Kemi takuar dijetarët në Hixhaz, Irak, Sham dhe Jemen dhe besimi i tyre ishte:

1 – Besimi përbëhet nga fjala dhe veprat, shtohet dhe mangësohet.

2 – Kurani është fjala e Allahut dhe nuk është krijuar në asnjë mënyrë.

3 – Kaderi (përcaktimi), e mira dhe e keqja e tij, është nga Allahu (Azze ue Xhel).

4 – Njerëzit më të mirë pas profetit të tyre (salAllahu alejhi ue selem) janë Ebu Bekr es-Sidik, Umer bin el-Khatabi, Uthman bin Afan dhe Ali bin Ebi Talibi (radijAllahu anhum). Ata janë kalifët e drejtë dhe të udhëzuar.

5 – Dhjetë personat të cilët i dërguari i Allahut ﷺ i përmendi me emra dhe ua konfirmoi xhenetin është e vërtetë.

6 – Të dy thanë gjithashtu se Allahu (azze ue xhel) është mbi arshin e Tij, i ndarë nga krijesat e Tij. Kështu Ai e ka përshkruar veten e Tij në Librin e Tij dhe nëpërmjet të dërguarit të Tij ﷺ. Kjo nuk duhet të imagjinohet. Ai përfshin gjithçka me diturinë e Tij:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

”Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 14

”Muslimani nuk e trashëgon kafirin dhe kafiri nuk e trashëgon muslimanin.” 15

97 – Ebu Umer bin Abdil-Berr ka thënë:

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Zoti ynë (tebareke ue te ala) zbret në qiellin e dunjasë kur një e treta e natës mbetët dhe thotë: ”Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush më kërkon diçka që Unë t’i jap atij? Kush më kërkon falje e ta falë atë?” 16

Ky hadith është konfirmuar dhe zinxhiri i tij është autentik. Ehl-ul-Hadithi nuk kanë mospajtime në lidhje me zinxhirin e tij. Ky është transmetuar në shumë rrugë dhe në mënyra të ndryshme. Transmetues të besueshëm e kanë transmetuar atë nga profeti ﷺ.

Hadithi gjithashtu dëshmon se Allahu (azze ue xhel) është lart mbi arsh dhe mbi shtatë qiejt, siç thonë hadithet. Ky është argumenti i tyre kundër Mutezilive dhe Xhehmive të cilët thonë se Allahu (azze ue xhel) është kudo dhe jo mbi arsh. Argumenti që pasuesit e së vërtetës kanë të drejtë janë fjalët e Allahut (azze ue xhel):

الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى

”I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.” 17

إِلَيْهِ يَصْعَدُ الْكَلِمُ الطَّيِّبُ وَالْعَمَلُ الصَّالِحُ يَرْفَعُهُ

”Tek Ai ngrihet fjala e mirë dhe puna e drejtë e lartëson atë (fjalën e mirë).” 18

يَخَافُونَ رَبَّهُم مِّن فَوْقِهِمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

”I frikësohen Zotit të tyre që është lartë mbi ta dhe i përmbahen në përpikëri asaj me çfarë urdhërohen.’’ 19

98 – Ebu Umer bin Abdil-Berr ka thënë:

”Ehl-us-Sunneti janë të bashkuar që të miratojnë dhe t’i besojnë të gjitha cilësitë e Allahut të përmendura në Kuran dhe sunnet si të vërteta dhe jo si metaforike. Megjithatë, ata braktisin imagjininimin e tyre ose kufizimin e cilësive specifike.

Lidhur me pasuesit e bidateve si Xhehmitë, Mutezilitë dhe Khauarixhët, ata bashkohen në mohimin e tyre dhe nuk i pranojnë asnjë si të vërteta. Ata mendojnë se ai që i pohon ato është Mushebih (e përngjason Allahun me krijesat). Nga ana tjetër, tek ata që i pohojnë ato, këta konsiderohen se e mohojnë të Adhuruarin. E vërteta qëndron tek ata që citojnë Librin e Allahut dhe të dërguarin e Tij ﷺ. Ata janë imamët e Xhematit.”20

99 – Në pjesën e fundit të përbërë nga hadithet e Xhafer bin Muhammed bin Nusejr el-Khuldit, kam gjetur historinë e mëposhtme, të shkruar nga autori:

”E lexova në pjesën e fundit dhe e pashë edhe shkrimin e Ebu Bekr bin Shadhanit. Djali im el-Hasan e dëgjoi këtë tregim dhe tha se e dëgjoi një person të besueshëm duke thënë: ”Ne e pastruam një xhenaze të shtrirë në barelë. Kur e zbuluam atë, e dëgjuam duke thënë: ”Ai i vetmi është mbi arshin e Tij. Ai i vetmi është mbi arshin e Tij.” U frikësuam aq shumë nga ajo që dëgjuam sa që ikëm nga aty. Pastaj u kthyem dhe e pastruam trupin.” 21.


1 el-Lalaka’i (2/401), Abdullah bin Ahmad në ”es-Sunneh” (1/107) dhe el-Axhurri në ”esh-Shari’ah”, fq. 289.

2 58:7.

3 et-Temhid (7/138-139).

4 57:4.

5 et-Temhid (7/142) dhe el-Lalaka’i (2/401).

6 el-Lalaka’i (2/433).

7 Abdullah bin Ahmad në ”es-Sunneh” (1/111), el-Bukhari në ”Khalk Af’al-il-Ibad”, fq. 8, dhe ed-Darimi në ”er-Rad alal-Xhehmijeh”, fq. 9. Autentik sipas el-Bejhakiut në ”el-Esma ues-Sifat”, fq. 538.

8 Tabakat-ul-Hanabilah (1/267).

9 el-Lalaka’i (2/400).

10 20:5.

11 el-Lalaka’i (2/398) dhe el-Esma ues-Sifat, fq. 516, nga el-Bejhaki.

12 edh-Dhehebi tha: ”Testamenti i esh-Shafeiut testamente që transmetohet nga el-Husejn bin Hisham el-Beledi nuk është autentik.” (Sijar A’lam-in-Nubala (10/79))

13 42:11.

14 42:11.

15 Bukhari (6764) dhe Muslimi (1614).

16 Bukhari (7494) dhe Muslimi (758).

17 20:5.

18 35:10.

19 16:50.

20 et-Temhid (7/128-129).

21 et-Temhid (7/128).

Shpërndaje: