Alameh Rabi ibn Hadi el-Medkhali
Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
“Rëndësia e dashurisë ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij”
Enesi (radijAllahu anhu) tregon se profeti ﷺ ka thënë:
”Tre gjëra, kushdo që i ka ato do të gjej përmes tyre ëmbëlsinë e besimit: Që ai ta do Allahun dhe të dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë tjetër, që ai ta do një person vetëm për hir të Allahut dhe që ai të urren të kthehet në mosbesim ashtu siç urren që të hidhet në zjarr.”
Transmetuar nga: Bukhari, Muslimi, Tirmidhi dhe Ibn Maxheh.
Transmetuesi i hadithit:
Enes ibn Maliku dhe biografia e tij është tek hadithi i shtatë.
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:
Ai që i ka këto katër atribute, nëpërmjet tyre do të gjej ëmbëlësinë e imanit (besimit) dhe kënaqësinë e tij, ato janë shenja të dashurisë së tij të vërtetë për Allahun.
E para: Dashuria ndaj Allahut.
Imam Ibnul Kajimi (rahimehullah) ka thënë:
”Allahu (te ala) i krijoi krijesat vetëm për që ta adhurojnë Atë për shkak të dashurisë së plotë për Të së bashku me nënshtrim dhe bindje ndaj asaj që Ai ka urdhëruar.”
Baza e adhurimit është dashuria ndaj Allahut dhe që Ai të veçhohet me dashuri në mënyrë të plotë. E gjithë dashuria duhet t’i takojë Allahut kështu që askush tjetër të mos duhet së bashku me Të (karshi Tij), por ata të duhen për hir të Tij. Ashtu si i duam profetët, të dërguarit e Tij, engjëjt dhe robërit besnik.
Pra dashuria jonë për ta është nga dashuria e plotë ndaj Allahut e jo dashuri për dikë karshi Tij sikurse ata që marrin hyjni karshi Allahut dhe u kushtojnë atyre një dashuri të tillë që duhet t’i kushtohet vetëm Allahut.
Dhe nëse dashuria ndaj Tij është realiteti dhe fshehtësia e adhurimit të Tij atëherë ajo realizohet vetëm duke pasuar urdhërat e Tij dhe duke qëndruar larg nga ndalesat e Tij sepse kur urdhërat e Tij zbatohen dhe ndalesat e Tij shmangen atëherë sqarohet vërtetësia e dashurisë dhe për shkak të kësaj Allahu e bëri pasimin e profetit të Tij si një shenjë dashurie, dhe një dëshmi për atë që pretendon se e do Atë.
”Thuaj (O Muhammed): Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [3:31]
Pra, Ai e bëri pasimin e profetit të Tij një kusht për dashurinë e tyre ndaj Allahut dhe një kusht për dashurinë e Allahut për ta, dhe këto nuk mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën. Nga kjo mësojmë se dashuria do të pushojë së ekzistuari kur pasimi i profetit pushon së ekzistuari.
Pra, mungesa e dashurisë së tyre për Allahun e bën obligim mungesën e dashurisë së Allahut për ta dhe mungesa e pasimit të profetit e bën obligim mungesën e dashurisë së Allahut për ta.
Pra atëherë, bëhet e pamundur për të konfirmuar dashurinë e tyre për Allahun dhe dashurinë e Allahut për ta nëse mungon pasimi i profetit.”
E dyta: Dashuria ndaj të dërguarit të Allahut.
Dhe kjo është një rezultat i dashurisë së Allahut dhe obligohet për shkak të dashurisë së Allahut sepse ai që e do Allahun e do të dërguarin e Tij dhe të gjithë që ai i do. Robi nuk është besimtar i vërtetë përderisa ai nuk e do të dërguarin e Allahut më shumë se prindërit e tij, fëmijët dhe të gjithë njerëzimin e cila është përmendur në hadithin e nëntë.
Disa nga gjërat që tregojnë dashurinë për të dërguarin e Allahut janë: Ta duan shpalljen me të cilën ai erdhi, Kuranin dhe sunnetin, dhe të besojnë në gjithçka që është në to, dhe të ndjekin urdhërat që janë në to, dhe të heqin dorë nga ndalimet dhe kufizimet që përmbahen në to, dhe t’i thërrasin njerëzit që t’i besojnë të gjitha këto. Dhe të vënë bindjen ndaj profetit para bindjes ndaj çdo krijese tjetër.
Pra, kushdo që përmbush këto gjëra, vërtet e do Allahun, në të kundërtën pretendimi i tij se e do Allahun do të jetë pa argumente dhe prova.
Dhe e treta: Të duash një person vetëm për hir të Allahut. Jo për shkak të ndonjë qëllimi të kësaj bote ose për përfitime të kësaj bote dhe jo për shkak të nderimit dhe reputacionit të tij, por ai e do atë për hir të Allahut sepse ai është vëllai i tij musliman. Ai beson në parimet themelore të Islamit, i përmbahet atyre dhe i nderon ato.
Pra, nëse ai e tregon këtë dashuri të bukur, të drejtë, kjo është një dëshmi se imani i tij është i vërtetë dhe ai do të gjejë ëmbëlsinë e imanit nëpërmjet saj.
Dhe e katërta: Urrejtja e ashpër e kufrit (mohimit ndaj Allahut). Pra, ai e urren aq sa është e mundur të urrehet, aq shumë sa që ai e urren të kthehet në të aq sa ai urren që të hidhet në zjarr.
Dhe shumë besimtarë kanë sakrifikuar veten dhe kanë preferuar që të hidhen në zjarr para se të jetojnë një jetë që i sjell ata përsëri në kufër. Ashtu siç Allahu na ka treguar në historinë e njerëzve të cilët gërmuan një varr kur Ai tha:
“Të mallkuar qenë populli i hendekut (në ndodhinë “djali dhe mbreti”) të zjarrit me plot lëndë djegëse, kur ata qëndruan pranë tij (zjarrit), dhe ata dëshmuan çfarë ata po bënin kundër besimtarëve (duke i djegur ata).” [85:4-8]
Kjo histori e fuqishme, një nga tregimet e imanit dhe një sakrificë e pabesueshme për hir të imanit. Ata të cilët besojnë në Allahun dhe të cilët janë të sinqertë në besimin e tyre duhet ta marrin këtë histori si një paralajmërim për të menduar, dhe një shembull i mirë për tu pasuar.
Dobitë që nxirren nga ky hadith:
1.Ëmbëlsia e imanit është kënaqësia e shpirtit të cilën e ka ai që i ka këto atribute dhe që gjen këto tipare.
2.Një nga karakteristikat më dalluese të besimtarëve është se ata e duan Allahun.