Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.E drejta e Allahut mbi robërit e Tij

Alameh Rab ibn Hadi el-Medkhali 

Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit” 

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

 “E drejta e Allahut mbi robërit e Tij”

Nga Muadh ibn Xhebeli i cili ka thënë: “Teksa isha ulur mbrapa profetit ﷺ në një gomar, ai më tha:

“O Muadh, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve dhe cila është e drejta e njerëzve tek Allahu?”

I thashë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Ai ﷺ tha: “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë, kurse e drejta e njerëzve tek Allahu është të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë ortak asgjë.”

I thashë: O dërguari i Allahut, a t’i përgëzojë njerëzit?”

I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos i përgëzo, se pastaj i mbështetën kësaj (mjaftohen me këtë dhe i lënë veprat).”

Transmeton: Bukhari (2856), Muslimi (144), Tirmidhi, Ibn Maxheh dhe Ahmedi.

Transmetuesi i hadithit:

Ai është Muadh ibn Xhebel ibn Amr ibn El-Ensari Auvs El-Khazraxhi, Ebu Abdirr-Rrahman. Sahabiu i njohur, një prej sahabive të dalluar. Ai mori pjesë në betejën e Bedrit dhe betejat e mëvonshme. Ai ishte një burim reference në aspektin e dijes, dispozitave dhe Kuranit. Ai vdiq në vitin 18 hixhri, në Sham në Ta’un Amras (nga kolera).

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Profeti ﷺ e bëri të qartë në këtë hadith, qëllimin pse Allahu i krijoi krijesat, e cila është për ta adhuruar vetëm Atë me sinqeritet sepse kjo e drejtë madhështore nuk i takon askujt tjetër pos Tij, Krijuesit të Fuqishëm.

Profeti ﷺ gjithashtu e bëri të qartë se çfarë shpërblimi robi e meriton prej Allahut nëse ai e kryen këtë detyrë madhështore – ”adhurim të sinqertë”, se Ai i kursen ata nga dënimi i zjarrit dhe i fut në xhenet.

Dhe kjo është diçka që e bën besimtarin të lumtur dhe të cilën e mirëpret. Prandaj Muadhi e pyeti profetin për leje dhe tha:

”O i dërguari i Allahut, a t’i përgëzojë njerëzit?”

Por profeti e ndaloi Muadhin nga kjo për të mirën e umetit musliman dhe se ai donte që ata të jenë të zellshëm që të bëjnë vepra të mira dhe të garojnë në atë që i sjell ata më afër Allahut. Që ata me këtë zellshmëri, përpjekje dhe garim të arrijnë nivele më të larta tek Allahu.

Dhe anasjelltas, nëse ata i neglizhojnë veprat e mira dhe mbështeten në premtime të ngjashme ata do të humbasin mirësi të mëdha dhe një shpërblim të madh.

Mësimet që përfitohen nga ky hadith.

1.Urtësia e profetit në edukim kur ai filloi me pyetje në mënyrë që nxënësi ta ketë vëmendjen tek fjalët e tij dhe të kuptojë më mirë.

2.Në hadith shohim modesitnë e profetit dhe karakterin e tij të mirë kur ai hipi mbi një gomar dhe e uli shokun pas tij.

3.Hadithi qartëson të drejtën më madhështore të Allahut mbi robin dhe ky është teuhidi që t’ia dedikosh adhurimin tënd vetëm Atij.

4.Bekimi dhe mëshira e Allahut ndaj robërve me shpërblimin më të mirë për kryerjen e kësaj të drejte.

5.Se është e rekomanduar për t’i dhënë lajmin e mirë muslimanit në lidhje me atë që e bën atë të lumtur.

6.Frika që të mbështetesh vetëm në mëshirën e gjerë dhe të madhe të Allahut sepse kjo mbështetje i dëmton shumë injorantët.

Shpërndaje: