Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Ndalimi nga kërkimi bekimit nga pemët dhe të ngjashme

Alameh Rabi ibn Hadi el-Medkhali 

Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit” 

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

“Ndalimi nga kërkimi bekimit nga pemët dhe të ngjashme”

Nga Ebu el-Uakid Lejth i cili tha:

”Ne u nisëm për në Hunejn së bashku me profetin ﷺ, ndërsa ne sapo kishim braktisur mosbesimin. Idhujtarët kishin një pemë sidri me emrin ”Dhat Enuat” të cilën e kishin zakon ta madhëronin dhe varnin armët e tyre në të. Ne kaluam pranë një peme sidri dhe thamë: “Na cakto edhe neve një pemë të tillë që t’i varim armët sikurse ata (kufarët) i varin armët në pemë.” 

I dërguari i Allahut ﷺ tha:

”Allahu është më i Madhi! Këto janë traditat (e injorancës). Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ju thatë pikërisht atë që bijtë e Izraelit i thanë Musait :

“Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur![7:138]

Ju do të pasoni rrugët e popujve të mëparshëm.”

Transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhi i cili e deklaroi hadithin të jetë autentik, dhe Abd er-Rrazak dhe Ibn Xherir, dhe Ibn Ebi Hatim, dhe një i ngjashëm nga Tabarani.

Transmetuesi i hadithit:

Ai është Uakid Ebu el-Lejth, thuhet se emri i tij është el-Harith ibn Malik dhe thuhet El-Harith ibn Auf. Mbledhësit e mëdhenj të haditheve kanë transmetuar hadithe nga ai dhe ka dy hadithe prej tij në Bukhari dhe Muslim.

Thuhet se ai mori pjesë në betejën e Bedrit dhe thuhet se ai është një nga ata që u bënë muslimanë kur u pushtua Meka. Ai vdiq në vitin 68 hixhri, kur ai ishte 85 vjeç.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Në ushtrinë e profetit ﷺ që dolën për në betejën e Hunejnit, kishte nga ata që pak më parë ishin bërë muslimanë. Islami i tyre nuk ishte i rrënjosur thellë dhe ata nuk kishin aftësinë për të kuptuar thirrjen Islame, besimin e tij dhe bazat sepse pak më parë ata gjetën veten në kohët e injorancës dhe shirkut.

Kështu pra ata kaluan pranë njerëzve të cilët ishin idhujtarë dhe të cilët qëndronin pranë një pemë për të kërkuar bekime nga ajo dhe për shkak se ata e shenjtëronin atë. Kështu që kur këta muslimanë të rinj në fe i panë ata duke bërë këtë ata kërkuan nga i dërguari i Allahut ﷺ që ai tu japë atyre një pemë në të cilën ata mund të varrnin armët e tyre në mënyrë që të kërkojnë bekimin prej saj, e jo që ta adhurojnë atë sepse ata besonin se Islami e pranon këtë formë të tebarrek (kërkimi i bereqetit) dhe se ata përmes këtij veprimi do të fitonin ndaj armiqëve të tyre.

I dërguari i Allahut ﷺ u befasua nga kjo kërkesë e çuditshme kur ai tha një fjalë madhështore që duhet të jetë një mësim, mësim për umetin e tij deri në ditën e gjykimit:

“Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ju thatë pikërisht atë që bijtë e Izraelit i thanë Musait ﷺ:

“Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur!” [7:138]

Sa e duhur është për muslimanët që t’i kushtojnë vëmendje dhe ta kuptojnë këtë mësim, dhe sa e duhur është veçmas për dijetarët që ta ngrisin zërin lart me këtë fjalë të fuçishme para syve të xhematit të thjeshtë, të cilët kërkojnë bekim përmes të gjallëve dhe të vdekurve, shkëmbinjve dhe pemëve sepse ata besojnë se kjo është prej Islamit.

Këto veprime u zbukurohen atyre nga ata të cilët nuk i frikësohen Allahut dhe nuk shpresojnë shpërblimin e Allahut dhe ditën e gjykimit. Ata të cilët janë skllevër të parave dhe pozitës. Ata që shfrytëzojnë ndjenjat e injorantëve dhe të personave naiv dhe në këtë mënyrë i bëjnë ata që të rrënjosen thellë në devijim dhe i bëjnë ata që të luftojnë kundër së vërtetës dhe teuhidit.

Mësimet që nxirren nga ky hadith.

  1. Ndalimi i përngjasimit me njerëzit nga koha para Islamit, kufarët.
  2. Profeti e krahasoi kërkesën e tyre me kërkesën të cilën e bënë bijtë e Izraelit, jehudët.
  3. Aktet për të cilat janë qortuar bijtë e Izraelit – qërtohet edhe ky umet (në qoftë se ata i veprojnë ato).
  4. Në këtë hadith i jepet vëmendje rregullit bazë se një veprim i vogël ndalohet nëse ai mund të shpie në diçka më të keqe, ose principi për të kryer një vepër, ose për tu përmbajtur nga një veprim për shkak të sigurisë.
  5. Në hadith gjithashtu gjendet një shenjë e profetësisë kur ajo që e tha ai ajo edhe ndodhi.
  6. Hadithi tregon frikën nga shirku dhe se një person mund të mendoj se diçka është e mirë dhe mendon se ajo e afron tek Allahu ndërsa në realitet ajo është diçka që e largon më së tepërmi nga mëshira e Allahut dhe e afron afër zemërimit të Allahut.

Shpërndaje: