Shejkh Salih bin Abdil-Aziz Al esh-Shejkh
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Kategoria e tretë është:
Mirësjellja e burrit ndaj gruas së tij. Allahu e ka obliguar burrin që të sillet mirë, ashtu siç e ka obliguar edhe gruan.
Thotë Allahu në Kuran:
”Edhe atyre (grave) u takojnë të drejta të barabarta mbi ta, por burrat kanë një shkallë më tepër mbi to.” (2:228)
Allahu, i ka dhënë përparësi të drejtave të burrit, por ajo që i takon burrit i takon edhe gruas. Ashtu siç e kuptuam nga ajeti i përmendur:
”Edhe atyre (grave) u takojnë të drejta të barabarta mbi ta.”
Profeti ﷺ shumë herë ka këshilluar që të kihet kujdes dhe respekt ndaj grave. Disa prej njerëzve martohen dhe nuk interesohen që t’i mësojnë rregullat e të jetuarit me grua. Si të flas me të? Si të kërkoj diç prej saj? Cilat janë obligimet që gruaja duhet t’i kryej ndaj burrit të vet?
Shumë prej njerëzve, sillen me gruan ashtu siç ia kërkojnë teket dhe dëshira e tij. E nganjëherë duke shfrytëzuar “burrërinë” dhe fuqinë, duke lënë anash atë që sheriati islam e kërkon, e nuk mëson mirësjelljen dhe bashkëjetesën e duhur që duhet të ketë me gruan.
Vëni re, thënien e Ibnu Abasit (radija Allahu anhuma) në lidhje me këtë ajet ku Allahu thotë:
”Edhe atyre (grave) u takojnë të drejta të barabarta mbi ta,…”
Thotë Ibnu Abasi: “Unë nuk dua që të kërkoj të gjitha të drejtat nga gruaja ime, vetëm e vetëm që të mos i bëhet edhe asaj obligim, ajo që është bërë obligim për mua.”
Ibnu Abasi, thoshte se burri duhet të zbukurohet për gruan e tij, ashtu siç duhet të zbukurohet gruaja për burrin e saj.
”Edhe atyre (grave) u takojnë të drejta të barabarta mbi ta,…”
Nëse burri kërkon nga gruaja e tij që të zbukurohet për të, të mënjanoj aromat e këqija, e të jetë e rregulluar; gjithashtu, edhe ai është i obliguar me këto gjëra sepse Allahu e ka obliguar këtë përmes këtij ajeti.
Shiheni gjendjen e të dërguarit të Allahut ﷺ me gratë e veta, kur ato i kërkuan atij që t’i furnizojë ato, ai u tha fjalë të mira e të ëmbla dhe u largua nga to një periudhë të shkurtër kohore, derisa Allahu i Lartësuar gjykoi për këtë gjë, duke i zbritur ajetet e njohura në suretul-Ahzab.
Sjellja e burrit ndaj gruas, shpeshherë i përshtatet tekeve dhe dëshirave të burrit. Edhe pse, ka njerëz të cilët janë të kujdesshëm kur është në pyetje kjo gjë duke qenë sjellja e tyre në përputhshmëri me porositë e sheriatit islam. Kjo është ajo të cilën dëshiruam t’ua kujtojmë sepse shumë prej njerëzve janë larg nga e vërteta.
Në anën tjetër, kur jemi tek mirësjellja me gratë, disa prej njerëzve mendojnë se prej mirësjelljes ndaj tyre është që ta lësh atë të lirë deri në atë masë që ajo të veproj çfarë të dojë. Duke bërë që, çdo gjë që thotë gruaja, ai e pranon pa e shikuar siç duhet se a është ajo gjë e lejuar apo jo, a është e drejtë e saj apo jo, a i bën asaj dobi ajo gjë apo jo. Kjo arrin deri në atë masë, saqë gratë veprojnë sikurse të ishin burra. Padyshim se kjo gjë është e kundërta e asaj të mëhershmes.
Pra kemi ata të cilët janë të mangët ndaj grave, dhe ata të cilët i lënë ato të veprojnë çfarë të duan, derisa gruaja të bëhet sikurse të jetë burrë. Drejtësia në këtë çështje, është që bashkëshortët sjelljet e tyre t’i ndërtojnë në përputhshmëri me porositë e sheriatit. E dimë se Allahu ka caktuar të drejta për gratë dhe të drejta për burrat. Prej porosive të fundit të të dërguarit të Allahut ﷺ ishte porosia për mirësjellje ndaj grave. Këtë gjë e thekson edhe në hutben e tij ﷺ në ditën e Arafatit ku ndër tjerash thotë:
“Ju këshilloj që të silleni mirë ndaj grave sepse ato ju janë besuar juve.”
Kjo nuk do të thotë që gjërat të shkojnë sipas urdhrave të saj dhe njeriu të jetë jo i kujdesshëm ndaj urdhrave të Allahut, por të ecën në drejtim të asaj që Allahu ka porositur.
Burrat kërkojnë nga ngratë e tyre gjëra të ndryshme, por duhet pasur kujdes që sjelljet e tyre duhet të jenë në përputhje me atë çfarë ka thënë Ibnu Abasi (radija Allahu anhuma):
“Unë nuk dua që të kërkoj të gjitha të drejtat nga gruaja ime, vetëm e vetëm që të mos i bëhet edhe asaj obligim, ajo që është bërë obligim për mua.”
Sjellja e gruas ndaj burrit të saj:
Allahu i Madhëruar, drejtat e burrit i ka ngritë një shkallë më lartë.
”…por burrat kanë një shkallë më tepër mbi to.”
Allahu e ka ngritë burrin në një shkallë më lartë, sepse është ai i cili jep pasuri, ai i cili përkujdeset për furnizim dhe ai i cili udhëheqë.
Ndërsa gruaja, është e obliguar që ta dëgjoj burrin në gjërat të cilat janë të lejuara, të mos e futë në shtëpi atë që ai nuk dëshiron, të mos dalë nga shtëpia, derisa të jetë ai i kënaqur për këtë. Nëse gruaja është e kujdesshme për të quar në vend të drejtat e burrit ndaj saj, ajo veçse ka kryer detyrimin e saj.
Në hadithin autentik, thuhet:
“Nëse gruaja falë pesë kohët e namazit, agjëron muajin e Ramazanit dhe është e dëgjueshme ndaj burrit të saj, i thuhet futu në Xhennet nga cila derë dëshiron ti.”
S’ka dyshim se dëgjueshmëria e gruas ndaj burrit të saj është obligim. Andaj, edhe sjellja e saj ndaj burrit duhet të jetë në dëgjueshmëri, e kënaqur dhe ajo të jetë ajo e cila lëshon pe, dhe e cila pranon urdhra. E të mos jetë burri ai i cili lëshon pe dhe urdhërohet, ngase nga kjo gjë rrjedhin dëme të shumta.
Kur disa prej gjykatësve kanë folur në lidhje me burrin i cili i nënshtrohet gruas së vet, tregojnë histori të shumta ku si përfundim, gruaja nuk është e kënaqur me burrin e saj. Burrë i cili i është nënshtruar dhe i ka shkuar vetëm për qejfi, edhe bile duke qenë i nënshtruar ndaj çdo teke dhe dëshire të saj.
Femra, nga krijimtaria e saj, është ajo që ka nevojë që mashkulli të jetë për të shtyllë, edukues dhe ai i cili jeton me të në përputhshmëri me urdhrat e Allahut dhe se fundi gjithsesi do t’i vijë të gjithëve.